Gazetari i famshëm Di Marzio thurr lëvdata për Kombëtaren Shqiptare

Në faqen e gazetarit të famshëm të Sky Sports Italisë, Gianluca di Marzios, është publikuar një artikull ku lavdërlohet Kombëtarja e Shqipërisë, si dhe puna e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës.

Futbolli në Shqipëri e arriti suksesin më të madh në histori kur Kombëtarja kuqezi arriti të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2016. Në fazën e grupeve, Shqipëria u përball me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë.

Në tri ndeshjet e zhvilluara në këtë turne, Shqipëria fitoi 1:0 kundër Rumanisë, ndërsa u mposht 2:0 nga Franca dhe 1:0 nga Zvicra. Këto rezultate bënë që Shqipëria të eliminohej në fazën e grupeve.

Në këtë artikull është lavdëruar edhe puna e bërë nga Armand Duka, i cili e ka drejtuar FSHF-në që nga viti 2002. Gjatë 17 vjetëve të tij në këtë pozitë, kampionati shqiptar i futbollit është hetuar shpesh herë për kurdisje ndeshjesh midis klubesh dhe fiksim të rezultateve.

Klubi që kishte qenë disa herë kampion, Skënderbeu i Korçës, u përjashtua nga kupat e Evropës pas dyshimeve nga institucioneve të specializuara për kurdisje ndeshjesh të kampionatin vendor.

“Plazhe shumë të bukura, panorama të lënë pa frymë, qytete që transmetojnë histori dhe art. “Topa e Shqiponjave” ka pasur një ngjitje konstante në vitet e fundit, në të gjitha drejtimet. Edhe sportive, mbi të gjitha në futboll. Kualifikimi për në Euro 2016 është vetëm kulmi i një sërë rezultatesh të rëndësishme”, shkruhet nw faqen e Di Marzios.

“Mentalitet i fortë, i palëkundur, të rinj të gatshëm të sakrifikojnë përditë, investime të nivelit të lartë dhe rinovime në infrastrukturë. Linja politike, fitimtare, e presidentit të federatës shqiptare Armand Duka. Zgjedhja e tij ka shënuar një pikë të vërtetë kthese, një fillim i ri për futbollin shqiptar”.

“Nga ndërtimi i qendrave të reja teknike për të rekrutuar lojtarë të rinj dhe me perspektivë deri tek inaugurimi i stadiumit të ri të Kombëtares, që pritet në muajt e ardhshëm, përveç investimeve madhore në strukturat e të rinjve për hedhjen e themeleve solide për të ardhmen. Këto janë linjat thelbësore që ndjek programi i zhvillimit të Dukës, që është zgjedhur edhe në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s”.

“Lidhje të forta edhe me futbollin italian, si model për t’u ndjekur. Emërimi i Edy Reja-s si trajner i kombëtares shqiptare, por edhe terren pjellor për investuesit, si për shembull kompania Dm Football Management e drejtuar nga Daniele Mura, që operon prej 5 vitesh në Shqipëri dhe ndër të tjerë ka çuar në Itali, tek Empoli, talentin Kleis Bozhanaj”.

Nëse rezultatet janë të prekshme, zhvillimi i futbollit shqiptar do të jetë edhe më i qartë në të ardhmen. Me një rol të rëndësishëm në horizont në panoramën evropiane…”.

Komente