Ermal Meta: Bëra sherr me Italinë që nuk i dha 12 pikë Shqipërisë

Këngëtari fierak i cili përfaqësoi Italinë në Eurovizion Ermal Meta është gati të performojë sonte në sheshin “Skënderbej” në orën 18:00. Pak para koncerit ai ka dalë përpara gjimnazistëve të Tiranës krah Erion Veliajt dhe është përballur me pyetje nga më të ndryshmet.

Sa i takon Eurovizionit Ermal Meta tha se i vjen turp që italia nuk i dha 12 pikë Shqipërisë e për këtë madje ka bërë sherr atje.

Meta tha hapur se më mirë nga të tre shqiptarët që konkurruan në Eurovizion, këndoi Eugent Bushpepa me “Mall”.

“Mendoj se ishte një event shumë i rrallë që ishim tre shqiptarë që përfaqësonim vende të ndryshme në Eurovizion.

Eugenti ka zë të mahnitshëm, nga të tre ne shqiptarët ishte ai që këndoi më mirë. Faleminderit për 12 pikë. Më erdhi shumë turp që Italia nuk i dha 12 pikë Shqipërisë dhe të them të drejtën kam bërë edhe një gjysmë sherri me njerëzit atje”, tha këngëtari para gjimnazistëve.

I pyetur nëse është krenar për të qenit shqiptar, Ermal Meta u përgjigj:

“Jam shumë krenar që jam shqiptar. Biles po shtoj, një fëmijë nuk e zgjedh dot Atdheun ku do lindi por nëse unë do lindja prapë, do zgjidhja prapë të lindja këtu”.

Komente