Edi Rama i pabese mosmirenjohes dhe i droguar

Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, prej 48 orësh është përfshirë hapur në fushatë elektorale. Duke kuptuar se partia që ai themeloi në vjeshtën e vitit 2004, LSI, gjendet e rrezikuar në morsën ku e kanë vënë Edi Rama dhe Lulzim Basha pas marrëveshjes së 18 Shkurtit, ai ka intensifikuar akuzat ndaj tyre. Pas votimit unanim vetëm me votat e mazhorancës që qeverisi 4 vite, por që tashmë gjendet e pozicionuar në llogore armiqësore, Meta deklaroi se deri në marrjen zyrtare të detyrës do të zhvillonte një turne falënderimi, për anëtarësinë e LSI-së.Për të hequr edhe çdo dyshim, për mos përzierjen në politikë në këtë periudhë transitore, ai pas një mbledhje të kryesisë së LSI-së deklaroi se ja kishte dhënë teserën e partisë Petrit Vasilit, me porosinë që t`ja ruante mirë. Nënkuptonte, se pas 5 vitesh ai do të rikthehej në LSI në mënyrë aktive; ndoshta për të realizuar qëllimin, “nuse për herë të dytë”, pra sërish kryeministër i vendit, këtë herë në një moshë teje të pjekur.

Por pas zhvillimeve të fundit, të cilat duket e kapën në befasi LSI-në dhe vetë Ilir Metë, ai e ka flakur mantelin e njeriut që do të drejtojë mbi palët shtetin shqiptarë dhe jo vetëm ka dalë në mbrojtje të LSI-së, por edhe ka nisur siç e thamë më lartë, një kundërsulm të egër kundër dyshes Rama-Basha. Ndaj kryetarit të PS-së, edhe më të egër dhe denigrues. Madje ai që pas konfliktit të ashpër të vitit 2008 kur u bë përpjekja kushtetuese për eliminimin e LSI-së “me ligj”, riktheu akuzën që i dhemb më shumë Edi Ramës, “mosmirënjohës, i pabesë dhe i droguar”.

Përveç etiketimeve morale, ish-kreu i LSI-së po akuzon herë Ramën dhe më pak Bashën, për lidhje me oligarkinë e korrupsionit, madje edhe me krimin e organizuar. Në tre daljet e fundit nga Shkodra, në emisionin e Roland Qafokut në “Cannel One” dhe dje nga Skrapari, presidenti i zgjedhur me votat e socialistëve po sillet si një politikan, që nuk ja ndien më për postin e lartë që i dhuroi Edi Rama.

Paralel me këtë aktivitet politik të Ilir Metës, mediat pranë kryeministrit kanë intensifikuar një fushatë nëpërmjet së cilës kërkojnë të tregojnë, se ai si president i zgjedhur po shkel kushtetutën, duke u përfshirë hapur në fushatë elektorale në favor të një partie. “Ilir Meta e theu karrigen e presidentit”, akuzojnë pa pushim

Pas këtij përpunimi të opinionit publik, mbrëmë nga Sheshi i Flamurit në emisionin e Eni Vasilit, Edi Rama foli për herë të parë për Ilir Metën, si president i zgjedhur. Ai “u detyrua” tu përgjigjej akuzave teje të rënda të Ilir Metës. Në fakt këtë e bëri duke lëshuar një kërcënim të pastër, për të ardhmen e tij si president i vendit.

“Meta të mos harrojë votën që i dhanë deputetët socialistë, për tu bërë president. Ne e votuam të gjithë, nuk ka arsye të na thotë mosmirënjohës. Ka jetë dhe mbas fushatës”, skërmiti dhëmbët Rama.

Vini re! Ai thotë për Ilir Metën; Ka jetë dhe pas fushatës…

Çfarë nënkupton kjo deklaratë-paralajmërim, nëse e fusim edhe në kontekstin e thirrjeve të shumta që vijnë nga mediat pranë tij, por edhe eksponentë të PS-së se Ilir Meta po shkel kushtetutën?

A ka një plan të Ramës (pse jo në bashkëpunim edhe me Bashën) që pas zgjedhjes së parlamentit të ri, të nisë një procedurë për shkarkimin e presidentit që zgjodhi vetë?

Neni 90 i Kushtetutës thotë:

1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij. 2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. 3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Këtij neni i paraprin ai 89 që thotë: Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.

Pra një president në Republikën e Shqipërisë mund të shkarkohet edhe për shkelje të Kushtetutës. Në detyrë kemi ende Bujar Nishanin, kurse parlamenti ka votuar Ilir Metën, i cili më 24 Korrik pritet ti zërë vendin.

Përderisa në Kushtetutë nuk përcaktohet “sjellja” e presidentit të zgjedhur, por që ende nuk është betuar dhe nuk ka marrë detyrën, loja duket e hapur dhe lë shumë shtigje për interpretim.

Edi Rama tha se, “ka jetë edhe pas fushatës” pasi dëgjoi se Meta e quajti të droguar dhe mosmirënjohës. Për LSI-në, tashmë dihet se çfarë plani ka. Po për Ilir Metën si individ dhe president, çfarë do të ndodh sipas Ramë, në “jetën pas zgjedhjeve”? /Skandal/

Komente