Arrest shtëpie për ish zëvëndës ministren, merte 2 mijë euro për një vënd pune

Dorës së hekurt të SPAK nuk i kanë shpëtuar as ish anëtarët e qeverisë Rama. Këtë herë pas hetimeve të SPAK, Gjykata e Posaçme ndaj Korrupsionit ka vendosur ‘arrest shtëpie’ për ish zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila akuzohet se ka përfituar para dhe të mira materiale për të punësuar një grua. Voda ka marrë rreth 2000 euro për futur në punë Florida Beun.

Voda në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, sipas SPAK, ka marrë para dhe të mira materiale të padrejta nga dy gra Majlinda Hasani, avokate dhe Florida Beu, për punësimin e kësaj të fundit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive në Ministrinë e Brendshme. Majlinda Hasani,avokate nga Durrësi ka luajtur rolin e ndërmjetëses për marrjen e ryshfetit.

Ky procedim penal ndaj Vodës është regjistruar në 2021, ndërsa SPAK vijon ende hetimet për këtë rast. Megjithatë nga provat e arritura deri tani prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit që të caktojë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Rovena Vodën, Florida Beun dhe Majlinda Hasani për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

SPAK ka nisur me vrull punën gjatë kohëve të fundit ku goditjen e zyrtarëve e ish zyrtarëve të korruptuar në nivele të larta duket se po u vjen fundit pandëshkueshmërisë së tyre.

Po sot, më 13 korrik SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në GJKKO ish-kryebashkiakun e PD në Pogradec, Eduart Kaprin dhe 5 vartësit e tij, të cilët do të gjykohen në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019 si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.

Më 10 korrik SPAK arrestoi 9 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Mes të arrestuarve ishte edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari.

Me 6 korrik SPAK vuri në pranga kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushen dhe 10 bashkëpunëtorët e tij pasi janë të përfshirë në një tender abuziv të ditëve të fundit prej 24 mln lekësh për rehabilitimin e kanalit ujitës. /Report tv

Komente