Wenger: Mourinho mos u anko, por luaj me lojtarët që ke

Jose Mourinho ka kërkuar blerje shtesë për ta përforcuar skuadrën e Manchester Unitedit.

Djajtë e Kuq barazuan me vështirësi ndaj Burnleyt (2-2) në Old Trafford dhe pas ndeshjes, portugezi doli me një deklaratë duke përmendur disa faktorë për këto rezultate zhgënjyese në xhirot e fundit.

Tashmë që United ka 15 pikë më pak se Manchester City, trajneri deklaron se 300 milionë funte, sa i shpenzoi gjatë verës, nuk ishin të mjaftueshme për t’i dhënë vazhdimësi dhe siguri ekipit.

Por, kjo deklaratë ka marrë një reagim të menjëhershëm nga Arsene Wenger, i cili ia ka bërë me dije Mourinhos që Arsenali përballet me telashe të këtilla tash e 21 vite, duke mos qenë ekipi më i pasur në Angli, por ai ia ka dalë të menaxhojë situatën.

Të njëjtën gjë Wenger ia ka kërkuar edhe Mourinos, duke e këshilluar që t’i lërë ankesat dhe të punojë me lojtarët që ka në dispozicion.

“Kam qenë në këtë pozitë për 21 vite dhe nuk do të filloj të ankohem tash”, u ka thënë Wenger gazetarëve, transmeton KP.

“Kam pasur gjithmonë së paku një, e ndonjëherë katër klube më të pasura se i imi dhe jam mësuar si t’ia dal me këtë”.

“Me rëndësi është që të menaxhosh situatën ashtu siç di ti dhe duhet pranuar që Manchester City, Chelsea dhe Manchester United, janë më të pasur se ne. Por, unë nuk ankohem dhe vazhdoj të punoj për të gjetur një rrugë për të arritur suksese”, ka përfunduar francezi.

Loading...

Komente