Skandal, zyrtarja e shtetit zapton rrugën publike si pronë private

Ujëmbledhësi i Sharkës tanimë është pjesë administrative e Bashkisë Vorë, ndërsa më parë ka qenë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë. Asokohe Behar Fiora e mori me qera me kontratë 10 – vjeçare, por sot ai ndeshet me një pengesë jo të vogël. Rruga që të çon tek ujëmbledhësi i Sharkës është bllokuar me një tabelë, ku shkruhet “pronë private” dhe si të mos mjaftonte kjo, është ndërtuar edhe një lokal në digën e ujëmbledhësit.

Bashkëshortët Agim dhe Silvana Mema pretendojnë pronësinë e rrugës.

Por drejtori i Administrimit të Tokës, Baftjar Kalemi thotë se nuk ka asnjë rrugë me status “privat” dhe ia faturon zgjidhjen Bashkisë Vorë.

Por kjo e fundit nuk ka bërë asnjë ndërhyrje për zgjidhjen e këtij problemi. Pas një investigimi nga gazetari i emisionit “Stop” rezulton se “pronarja e tokës”, Silvana Mema është anëtare e Këshillit Bashkiak të Vorës.

“Iu drejtova emisionit “Stop” se nuk kam rrugë për të ardhur te ujëmbledhësi i Sharkës, te puna ime. Është një Agim Mema thonë, që ka shkruajtur “pronë private”, kur kjo është rruga e digës. I kam thënë, por nuk e hap rrugën. Nuk di çfarë të them, kërkoj vetëm që të më hapet rruga, s’më intereson toka, dua të vij dhe të bëj punën time”.

Gazetari i emisionit “Stop” ndoqi rrugën për të shkuar tek ujëmbledhësi i Sharkës dhe vuri re se dalja e emergjencës ishte e bllokuar nga një aktivitet privat, një lokal i ndërtuar nga Agim dhe Silvana Mema.

Ndaj dhe gazetari iu drejtua “pronës së tyre private” për të komunikuar me bashkëshortët Mema.

Agim Mema – Kam respekt për ty se je një që zgjidh gjithë problemet e popullit. Por të vish të futesh në pronë private?

Silvana Mema – Më fal, a e lexove “pronë private”?

Gazetari – Por unë, para se të vija këtu, e verifikova që s’është pronë private.

Pas interesimit të gazetarit të emisionit “Stop” në Këshillin e Qarkut Tiranë, u tha se në bazë të dokumentacionit, rrugët janë pronë shteti, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Silvana Mema – Kjo është pronë private! Ku e njohe këtë zotërinë si pronar legjitim. Ne jemi në çështje gjykate me këtë dhe ti ke bërë shumë gabim që ke hyrë atje. Domethënë, nëqoftëse ti do të transmetosh këtë, do të hyj në konflikt me ju pastaj. Këtu është pronë private dhe vërtetohet gjithandej me certifikata, që unë s’kam të drejtë të t’i tregoj fare ty se ti s’ke ardhur për mua, por ke ardhur për këtë. Ti ke bërë shumë gabim që ke ardhur me këtë zotërinë (Behar Fiorën).

Gazetari – Zotëria ka një kontratë më Ministrinë e Bujqësisë.

Silvana Mema – Zotëria të kishte marrë një helikopter të kishte filmuar ujin se ka një kontratë vetëm për ujin. Rrugën e ka që të hyjë, në pronën time s’ka të drejtë fare!

Në Ministrinë e Bujqësisë, drejtori i Administrimit të Tokës, Baftjar Kalemi tha se kjo çështje zgjidhet nga pushteti vendor, pra nga Bashkia Vorë.

Gazetari iu drejtua bashkisë për të prezantuar problemin, pavarësisht faktit që këtë e kanë bërë edhe vetë Behar Fiora dhe institucionet e tjera. Bashkia Vorë kërkoi një shkresë zyrtare nga emisioni “Stop”, duke e zvarritur kështu ndërhyrjen që duhet të jetë e menjëhershme.

Por emisioni “Stop” investigoi rreth kësaj çështje dhe zbuloi se “pronarja e tokës”, Silvana Mema është anëtare e Këshillit Bashkiak në Vorë.

Gazetari – Po zonja Silvana Mema është anëtare këshilli këtu në Bashkinë Vorë?

Zyra e Informacionit Bashkia Vorë – Edhe mund të jetë?

Gazetari – Është apo jo?

Zyra e Informacionit Bashkia Vorë – Është.

Gazetari i emisionit “Stop” doli në përfundimin se Bashkia Vorë dhe Silvana Mema kanë konflikt interesi për pronën, ndaj çështja zvarritet dhe nuk e hapin rrugën që të çon në ujëmbledhësin e Sharkës. TVklan

Loading...

Komente