Rama: Kë të qaj më para PD apo LSI që donte të bëhej e para por i ra murit me kokë

Kryeministri Edi Rama mes deklaratave të forta ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj Lulzim Basha, shigjetoi edhe ish-aleaten qeverisëse, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ai tha se nuk di kë të qaj më parë nga opozita, Partinë Demokratike apo Lëvizjen Socialiste për Integrim, “Bir o Lul vëllai kë të qaj më parë, ty a motrën tonë që keni një hall”.

Kreu i qeverisë shtoi se LSI dashurinë e qetësinë e ka zëvendësuar “llafazanëri e vajmedetëri”. Ai tha se PD dhe LSI janë viktima të vizionit jetëshkurtër.

“Ju s’keni faj që dolët copë e çikë nga zgjedhjet, fajin e kemi ne. Vendi nuk ka opozitë por dy shartore. Ju nuk mbani dot përgjegjësi, jo sepse s’doni, por nuk dini të mbani përgjegjësi. Po ata që ishin e treta e vërteta? Se ça ndodhi që donin të ishin dhe e para e papara dhe vajtën i ranë murit me kokë. Sot keni hallin si ta lini fajin kopil”, shpreh Edi Rama.

Ai tha se si PD dhe LSI janë ndalur te krimi duke shtuar, “sot jeni ndalur të krimi, krimi në buzë, në sy, krimi në bark, mos të shkojë më poshtë”.

Lidhur me zgjedhjet, Rama deklaroi se ato janë fituar nga Partia Socialiste dhe do i fitojë sa herë që t’i ketë përballë.

“Sa herë të na hidhni fajin pse jeni katandisur si kokoshi një thelë, për aq kohë ju do shijoni vetëm një gjë, shijen e zhgënjimit dhe disfatës. Futeni mirë në rradake, shqiptarët mund të jenë të varfër por vetëm budallenj nuk janë”, deklaroi Edi Rama.

Loading...

Komente