Puna e mirë e Veliajt, shpëton Tiranën nga përmbytjet

Të gjithë këto ditë e kemi parë Lali Erin të shfaqet pa çadër, me flokët ujë, supet qull, dhe çizmet deri në gju në kronikat televizive që përgatiten në zyrat e bashkisë dhe që pastaj shpërndahen sipas porosisë në pothuajse gjithë mediat servile ndaj bashkisë (madje edhe në ato që paguhen me paratë e PD-së).

Në tekstin e kronikave të gatshme theksohet me bujë se Tirana këtë vit, si rrallë herë, i ka rrezistuar rrebesheve të forta dhe të pandërprera të shiut. Se kryeqyteti po korr punën që është bërë nga bashika që në verë, për çlirimin e shtratrave të përenjve dhe pastrimit të kanalizimeve.

Pavarësisht se shumë nga këto kronika propagandistike, servile deri në neveri të ngjallin krupën, një gjë është mëse e vërtetë: Këtë radhë Tirana nuk është më qyteti i cili përmbytej pas gjysëm ore shi dhe rrugët e saj janë në gjendje shumë më të mirë, jo në krahasim me pjesën tjetër të vendit, por edhe me vetë kryeqytetin e disa viteve më parë.

Erion Veliajt mund t’i thuash çfarë të duash për hijet e mëdha të korrupsionit me lejet e ndërtimit, blerjen deri në asfiksi të mediave, lidhjet klienteliste me disa firma me të cilat punon gjithmonë, por nuk mund ta akuzosh se nuk ka punuar në këtë drejtim.

Dhe pikërisht kjo anë e tij e fortë bie ndesh, bën një contrast ulëritës me dështimin në të gjithë Shqipërinë, të kapitenit të skuadrës së tij. Edi Ramës nuk i është përmbytur vetëm autostrada ku zuri kanalet e kullimit për të mbjellë palmat, por pothuajse i gjithë vendi, pothuajse të gjithë qendrat ku ai hodhi miliona për sipërfaqen e Rilindjes Urbane, por neglizhoi atë që fshihet poshtë fasadës së dukshme. Prndaj dhe në Vlorë në qytetin e tij model sot mund të kalohet ose vetëm me gomone, ose vetëm me helicopter.

Ky mot i keq që na ra këtë fillim dimri, po vë në pah edhe një diferencë të madhe, mes mënyrës së punës se Edi Ramës dhe asaj të Lali Erit. Ato ndryshojnë shumë. Në krahasim me kryeministrin e tij të ezauruar, që bën vetëm batuta, që vshet si klloun, dhe vetëm vë perde të artë mbi gjithçka që nuk funksionion, Veliaj është ndryshe. Ai ngjan si dy pika uji me Ramën për sa i përket propogandës, mashtrimit, shitjes së sapunit për djathë, por përpos tyre ai ka ende ambicien e fortë të atij që kërkon të konfirmohet duke bërë gjëra të prekshme dhe utilitare. Ndërsa Rama është fishkur dhe tjeklaluar në këtë drejtim, Erion Veliaj këtu është në kulmin e tij. Ndoshta sepse Lali Eri si dikur shefi i tij në bashki ka ende ambicie për të arritur më lart, ndërsa Rama e ka kapur apogjeun e tij dhe tani e di se nuk ka më mundësi tjetër veçse të rrokulliset më poshtë.

Këto përmbytje ishin edhe premisa më e prekshme e kësaj teze që po bëhet gjithnjë e më e dukshme. /lapsi

Loading...

Komente