Momentet më pikante të ndeshjes me Maqedoninë

Maqedonasit nuk arritën të mbushnin dot as një stadium me 6500 vendesh dhe për këtë u detyruan që një tribunë ta mbushnin me fëmijë shkollash. Nga ana tjetër, ata pak ultras vendës që ndodheshin nuk i kursyen thirrjet raciste ndaj shqiptarëve. Disa herë, pati momente nervozizmi deri në kërcënime… “Panorama Sport” ju sjell disa nga pikantet që nuk u panë dje në TV:

– Gjithçka nis me himnin. Tifozët maqedonas vërshëllejnë sa të munden kur ekzekutohet ai shqiptar. Mirëpo, “hakmarrja” vjen nga vetë shqiptarët e Maqedonisë. Në momentin që u ekzekutua himni i Maqedonisë, lojtarët me origjinë shqiptarë të kësaj Kombëtareje, Ezgjan Alioski dhe Enis Bardhi, qëndruan statikë. Ndërsa lojtarët e tjerë po e këndonin, dy mesfushorët shqiptarë nuk e bënë një gjë të tillë.

– Kristian Panuçi kërkon t’i motivojë lojtarët sa herë janë në vështirësi. Trajneri është i qetë në fillim, aq sa gjen kohën për t’i dhënë të drejtë anësorit për një rivënie. Hysaj e pretendon, por trajneri i thotë se është për Maqedoninë.

– Forcat e ndërhyrjes së shpejtë qëndrojnë pas tribunës ku janë të vendosur tifozët shqiptarë.

– Në stadium dëgjohen vetëm tifozët shqiptarë dhe Nestorovski nga brenda fushës e ndien diçka të tillë. Kërkon që të tijtë të bërtasin më shumë.

– Tifogrupi “Ballistët” nuk është lejuar që të hyjë në stadium, sepse mbante me vete banderolën me emrin e tyre.

– Zëdhënësi për shtyp i Maqedonisë tentoi të largonte nga tribuna e gazetarëve një flamur shqiptar, me pretendimin se nuk lejohet. Nga përfaqësuesit e mediave shqiptare u bë rezistencë, pasi ky ishte një akt i paprecedentë, për më tepër urdhri ishte absurd.

– Nuk e përtyp dot Panuçi mundësinë e artë e humbur nga Hysaj në një kundërsulm që mund të rezultonte vendimtar. Kthehet nga pankina i revoltuar.

– Tifozët e ardhur nga Prilepi, të vetëquajtur “Majmunët”, nisin thirrjet raciste ndaj shqiptarëve: “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë!”.

– Vazhdon skandali i vendësve me thirrje në stadium: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar se emri i Maqedonisë nuk do të vdesë kurrë”.

– Tifozët shqiptarë përgjigjen duke thirrur për Ballist Morinën.

– Në fundin e pjesës së parë, forcat policore tentuan të nxirrnin nga stadiumi “Illyrian Elite”, madje u hoqën banderolën.

– Panuçi shkelmon reklamat që ndodhen anash fushës. Nuk i pëlqen aspak mënyra se si Shqipëria e nis lojën në fillim të pjesës së dytë.

– Panuçi godet me shuplakë Armando Sadikun në momentin e festimit të golit. Nuk i mban dot emocionet trajneri kuqezi.

– Në stadium dëgjohen vetëm shqiptarët. Sidomos pas golit të shënuar ka pllakosur heshtja në radhët e tifozëve vendës.

– Në momentin kur arbitri dha një faull për Maqedoninë, Panuçi bisedoi për disa sekonda me gjyqtarin kryesor duke i thënë se ishte i dyshimtë, ndonëse ai vendosi t’ia akordonte kundërshtarit.

– Tifozët e Maqedonisë menduan se u shënua gol në minutën e 70-të, por Hysaj u ndërpreu buzëqeshjen.

– “Çfarë bën, shpejt. Jemi me dhjetë lojtarë. Shpejt, nxitoni”, bërtet Panuçi në momentin kur Agolli la fushën e lojës dhe duhej të futej Memolla.

– Qëndron i palëvizur trajneri Kristian Panuçi në momentin që Maqedonia shënon penalltinë.

– Trajneri kërcënon arbitrin e katërt në momentin që bëhet një ndërhyrje brutale ndaj Hykës. Mirëpo, me eksperiencë fton stafin e tij dhe lojtarët që të tërhiqen pas e të zënë vendet. Është ai “shefi” që duhet të merret me arbitrin.

– Pas përfundimit të takimit, gjatë shoqërimit në hotel Kombëtarja shqiptare është e blinduar me dhjetëra policë dhe disa makina policie. |Panorama sport

Komente