Kamioni me kokainë u kontrollua në Itali dhe u la i lirë

droge, durres
kamioni me droge ne portin e durresit

Zbardhet dëshmia e menaxherit të kompanisë “Arbri Garden”, në kamionin me banane të së cilit më 27 shkurt, u sekuestruan 613 kilogramë kokainë.

Menaxheri i kompanisë, Donaldo Lushaj në dëshminë e dhënë në polici, ka zbuluar se ka katër vite që punon tek “Arbri Garden”.

Ai tha se porositë bëhen nga pronari i kompanisë, Arbër Çekaj, i cili rezulton edhe me mbiemrin Jansen dhe aktualisht në kërkim, ndërsa bananet porositeshin kryesisht nga Argjentina, Kolumbia dhe Ekuadori.

Lushaj ka zbuluar se porositë bëhen rreth 20 ditë para, por kësaj radhe ka ardhur me vonesë, duke thënë se kamionët ishin ndaluar në portin e Livornos në Itali për inspektim, për shkak se Çekaj duhet të paguante 4 mijë euro, për ngarkim-shkarkim në këtë port.

Lidhur me momentin e sekuestrimit të kokainës, Lushaj është shprehur se është njoftuar me telefon nga njëri nga agjentët doganor, se njëri nga kontenierët kishte dalë me shenjë në skaner dhe do i bëhej kontroll.

Nga kontrolli i policisë, është bërë një shpim në pjesën e poshtme, ku është konstatuar edhe kokaina.

Mësohet se në portin e Livornos kontenierët qëndruan për dy javë, ku iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm.

Kokaina ishte fshehur në dyshemenë e dyfishtë në kontenierin me banane e cila kishte mbërritur në portin e Durrësit më 19 shkurt.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që dy të arrestuarit e vetëm, shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri Donald Lushaj të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit, ndërkohë që është shpallur në kërkim pronari i kompanisë Arbër Çekaj.

Sasia e drogës 613 kg kokainë dyshohet e lidhur me një rrjet trafiku që nis nga Kolumbia dhe përmes organizatave të krimit të organizuar shqiptar përfundon në tregun europian.

Kontenieri i mbërritur në portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë nga strukturat e Policisë së Shtetit, deri sa mbërriti në magazinat e firmës.

Loading...

Komente