Dritan Prifti në gjëndje kritike për jetën

Ish-ministri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti ndodhet në gjendje tejet kritike për jetën si pasojë e një sëmundje të rëndë. Sipas burimeve pranë të afërmve të tij, gjendja shëndetësore e Priftit po agravohet gjithnjë e më shumë.

Ai vuan prej një kohe të gjatë nga një sëmundje agresive gjaku. Ndërsa kohët e fundit ishte kuruar intensivisht në një spital të Italisë. Më pas, Prifti u transferua për një kurim më të specializuar në Gjermani. Me gjithë trajtimet që ka marrë në këto dy shtete, ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, nuk ka pasur asnjë përmirësim të gjendjes shëndetësore.

Prifti është kthyer pasditen e së mërkurës në Shqipëri, ku të afërmit e tij konstatojnë se gjendja sa vjen edhe rëndohet. Dritan Prifti e kishte bërë publike kohë më parë sëmundjen e tij, kur deklaroi në muajin maj të këtij viti se nuk do të garonte në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit për shkak të betejës së tij me këtë sëmundje.

“Nuk do kishte kënaqësi më të madhe për mua sesa të kisha mundësi të kandidoja dhe përfaqësoja përsëri Ju në politikë. Por nuk mundem fizikisht. Kam mbi një vit që luftoj me një sëmundje agresive dhe të vështirë gjaku. Kurimi vazhdon dhe pak muaj dhe nuk më jep mundësi të shkëputem për fushatë. Kam bindjen që do ta kaloj dhe këtë siklet shpejt. Nuk dua të mërziteni”, u shpreh Prifti në maj të këtij viti.

Dritan Prifti, njihet si ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës i cili denoncoi përmes video-përgjimit, aferën e famshme të shefit të tij politik, ish-kryetarit të LSI-së dhe ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta, në vitin 2011, kur ky i fundit i kërkonte Priftit favore për tenderë dhe koncesione, në shuma qindra-mijëra euro.

Loading...

Komente